Hristijan Mickovski s’lirohet lehtë nga klishetë, disa gjëra i përsërit si pllakë e prishur gramofoni!

5 mins read

Shumë keq kur një politikan hyn në shemën e një teze të shpikur dhe pastaj nisë t’i besojë vetë!

Kështu mund të thuhet pas prononcimeve të fundit të liderit të VMRO-së, i cili ka kohë që po përsërit tezë sikur marrëveshja me Bullgarinë është një akt tradhtie që ka autorësinë shqiptare, gjegjësisht, të BDI-së dhe ministrit Bujar Osmani. Për këtë të dytin thotë se pret që në të ardhmen të bëjë presion ndaj komisionit për çështjet historike. Edhe më interesante është teza se e gjithë kjo është bërë duke e parë interesin e Shqipërisë, duke bërë pakt me Bullgarinë dhe me bullgarët në dëm të interesave të popullit maqedonas.

Pra, teza e tradhtisë, që zakonisht shkonte në relacione brenda maqedonase, tash po “paketohet” me kontekst më atraktiv, që këtë akt e bën faktori shqiptar, pasi e paska lehtë “t’i shesë” interesat maqedonase! Nëse ka diçka që ka mbijetuar diçka nga qasjet e gabuara të VMRO-së nga e kaluara, është pikërisht mendësia shkurtpamëse e të bërit politikë me gjoja rreziqet që i vijnë Maqedonisë nga shqiptarët. Edhe laiku më i madh e di se një ministër apo një parti, nuk e kanë as mandatin e as mundësinë për të vendosur krye në vete për çështje kaq të ndjeshme.

Dihet se si arrihen dhe realizohen projektet politike, të cilat kërkojnë dhe bëhen me dakordim maksimal midis faktorëve të shtetit. Vetëm pak kohë para se të shpallej dakordimi, të gjithë ishin në unison se ka gjëra problematike te në kërkesat bullgare, edhe nga kryetari, edhe nga kryeministri edhe nga shumëkush tjetër. Pastaj sigurisht u bënë disa korrigjime në propozimin francez, u balancuan interesat e të dy vendeve, u futën garancitë e kërkuara nga kreu shtetëror i Maqedonisë, ndaj pastaj erdhi dhe pajtimi i të njëjtëve faktorë. Pra, nuk ishte as vetë ministri, e as vetë BDI-ja që vendosi për ta pranuar, e aq më pak për ta realizuar në procedurë parlamentare.

Prandaj, këtë retorikë të Mickovskit mund ta kuptojnë seriozisht vetëm ata që anë ushqyer me vite me këso përrallash të pluralizmit për nevoja ditore. Ato në dekadën e tretë të këtij shekulli, e që kemi hyrë në dekadën e katërt të pluralizmit, tashmë duken si pllakë e prishur e gramafonit. Gjeneratat më të vjetra e dinë mirë se kur vinte gjilpëra te vendi ku është prishur, vazhdimisht e sillte dhe e përsëriste të njëjtën pjesë të këngës.

Megjithatë, te intervista e Mickovskit, ka diçka që është thënë drejt ose nënkuptohet midis rreshtash, e që i përket koalcionimeve të ardhshme. Duket se ka dozë realizmi, kur nuk përjashton mundësinë e koalicionimit të serishëm me BDI-në, ama me kusht që të korrigjohet. Sigurisht e di Mickovski se si funksionojnë gjërat në koalicione, se shumëçka definohet shumë më përpara dhe se politikat realizohen bashkë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

​Ngjarjet e datës 25 korrik

Next Story

Pse flokët tuaja marrin ngjyrë të gjelbër gjatë pushimeve dhe si ta parandaloni këtë

Latest from Blog