Çka i bëre Tetovës, Bilall Kasami?!

7 mins read

­
…PREMTIME TË PAREALIZUARA…MOSGJETURI NË MENAXHIMIN E KOMUNËS…PARTIZIM MASOVIK…JOTRANSPARENCË…MANIPULIME GJITHFARËSHE… INTERESI PARTIAK PARA INTERESIT QYTETAR…

Janë vetëm një pjesë e fenomeneve të qeverisjes së re komunale me Bilall Kasamin në krye…Një vit mund të jetë periudhë e shkurtër për t’i thënë zhgënjim, por nuk jemi larg të vërtetës. Janë mbledhur shumë gjëra që nuk mund të anashkalohen nga çdo analizë objektive.

Çka s’u premtoi tetovarëve! Por çka realizoi?!
Çka solli të re, kryetari i tyre që donte ndryshime?

Të re?! A, po, na nxori do lista duke trumpetuar për punësime partiake. Bravo për kryetarin, tha shumëkush. Po, ama ka një barcoletë boshnjake që thotë “sjashi Haso da zajashe Huso”, e tetovarët që kanë traditë të gjatë gurbeti, dinë ta përkthejnë këtë: zbrit ti, të hip unë. Ose, ik ti, të hy unë. Përkthyer kjo me gjuhën e popullit, do të thotë: ju qes juve në rrugë, se dua t’i fus aktivistët e mi partiakë!
Tetovarët do t’ia falnin edhe këtë kryetarit, ama ai i kishte gënjyer gjithë kohën. Tetovarët kujtuan se Kryetari “i tyre” nuk do të fuste aktivistë partiakë të marrin rrogë pa djersë, të cilët të vetmen punë do ta bënin të vrapojnë në fushatë kur të vijnë zgjedhjet.

Ama populli ka thënë rrena i ka këmbët e shkurtra. Dhe këmbët dolën. Nuk ka aq karrige e tavolina, madje dhe në parkingun e komunës të vendoste karrige, s’do të kishte vend për gjithë ata aktivistë partiakë.

Hajt kryetar, hajt! Dhe gjithë këtë na e kishe fshehur përmes asaj agjencisë me emër anglez!

QË të krijosh përshtypje të rreme sikur janë të angazhuar përmes ndonjë firme të huaj dhe kushedi për ç’punë të rëndësishme!
Po çka të themi për ato presionet politike dhe përpjekjet për të partizuar shkollat?
Çka të themi për ato marrëveshjet e fshehura me VMRO-në, në stilin “ti mua këtu një pozicion, unë ty tendera atje?!”

Shemë e njohur, apo jo? Shpejt mëson, kryetar, thonë se karrigia është një lloj shkolle që sa të ulesh, t’i mëson ato dreqnitë e vogla e të mëdha të pushtetit. Pikërisht ato të cilat ti i denoncoje!

Po çka të themi për ato vendimet krye në vete, pa përfillur ligj, pa bërë ekspertiza, e mendim insitutcionesh, pa procedura?

Po për ato kontrata për tendera me firma të afërta me partinë tënde? Kontrata të cilat shpesh në plan të parë kanë interesin partiak, e për interesin e komunës, vetëm thërmitë!
A kështu qeveriset?

Sikur nuk je kryetar, po një lloj pashai në pashallëk, që vetë vendos e vetë vulosë, ose më saktë, sillesh si një sherif i dalë kontrollit si në atë filma për perëndimin e egër!

Po s’është larg të vërtetës kjo paralele, kryetar, sepse po flasin gjithnjë e më shumë se ashtu sillesh, ashtu dhe ke tubuar rreth vetes për t’i kryer ca punë “specifike”, po e potencojmë: “specifike”, që kanë lidhje me presione e banditizëm.

Mos u trand shumë, ne e dimë se ti e di që ne e dimë këtë!
Qytetarët ta këndojnë letrën mbrapsht, nëse nuk e ke ditur.

Qytetarët të votuan për të sjellë diçka të re, kryetar, dhe ti solle.
Por jo në të mirë të tyre!

A për t’i akomoduar ata militantët partiakë të Besës, apo për çka, ti vetë e di, ua bëre më të rëndë jetën qytetarëve tu! Shtrenjtove parkingjet zonale për të mbledhur ndonjë denar më tepër, madje dhe në oborre ndërtesash kolektive.

E dimë, të duhen para për t’i paguar aktivistët e Besës.
Ama nuk të zgjodhën qytetarët për këtë. Por që ti të jesh ndryshe!

Për qentë endacakë, që ende nuk i ke lidhur, s’po flasim, po ua lëmë si ide humoristëve spirituozë për skeçet e tyre.

Një pyetje e fundit, Billall Kasami, pyetje serioze: kah po na e çon Tetovën kështu si ia ke nisë?!

Njëherë gabuan tetovarët, për së dyti nuk e përsërisin më!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Previous Story

Gjilanasit nuk presin lajme të mira nga dialogu në Bruksel

Next Story

Djalë apo vajzë? Provoni këto truke për të zbuluar gjininë e fëmijës suaj

Latest from Blog